Më 7 shkurt të vitit 1945 u hap shkolla e parë me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë, pas shumë shekujve në robëri. Këtë shkollë e hapi solemnisht Abdulla Krashnica, udhëheqës dhe organizator i LANÇ-së, i cili ende nuk e kishte hequr uniformën e ushtarakut të lartë të asaj armate. Shkolla I filloi mësimet në Villën “LETAFET”, pronë e arsimdashësit dhe atdhetarit Abdulla Haxhi Veliut.Mendoj se kjo ndërtesë duhet të shndërrohet në muze të arsimit dhe të kulturës shqiptare të Preshevës. Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin: Hilmi Qerimi, Nazmi Mustafa, Abdulla Ukshini, Tajar Zylfiu nga Elbasani etj. Ky flakadan i ndezur i diturisë u përhap si flaka olimpike dhe përfshiu vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.
Me rastin e hapjes së kësaj shkolle, Abdulla Krashnica kishte thënë: “Rezultatet e kësaj shkolle, këtij tempulli të diturisë, do të përjetësohen pas 40 vitesh”.
Abdulla Krashnica erdhi si meteor, i ndriçoi këto hapësira dhe shkoi në botën e amshueshme dhe nuk arriti t’i realizojë idealet dhe aspiratat e shqiptarëve për liri, barazi dhe bashkim kombëtar, sepse vdekja ishte më e shpejtë. Ndërroi jetë në spitalin e Shkupit më 15 mars të vitit 1945, vetëm 36 ditë pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Preshevë. Vdekja e Abdullahut në moshën 28-vjeçare ka mbetur enigmë e përjetshme me plotë dyshime.
Abdulla Krashnica u radhitë në plejadën e personaliteteve më të shquara që i ka pasur Presheva ndonjëherë. Presheva e ka nderuar dhe akoma e nderon kontributin e tij dhënë kauzës kombëtare, patriotizmin e tij dhe luftën për liri dhe bashkim kombëtar.
Duke filluar nga abetarja dhe 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe në vitin 1945, kemi arritur te Universiteti i Prishtinës 1970 dhe te Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës 1975. Këto të arritura në lëmin e arsimit janë të pa kontestueshme. Në vitin 1948 u hap shkolla tetëvjeçare në Preshevë (quhej Progjimnaz- Gjimnazi i Ulët).
Këtë shkollë e hapi Fehmi Salihu nga Përlepnica e Gjilanit, një arsimtar shembullor dhe atdhetar i devotshëm. Në këtë shkollë vijonin mësimet nxënësit nga fshatrat e Bujanocit dhe të Kumanovës, sepse atje akoma nuk kishte shkolla tetëvjeçare në gjuhën shqipe. Në vitin 1961 në Preshevë u hap edhe gjimnazi. Në këtë shkollë mësimet i vijonin edhe nxënësit nga Kumanova, Bujanoci, Kamenica. Në këtë gjimnaz u pranuan edhe nxënësit e përjashtuar nga gjimnazi i Gjilanit, siç ishin, Rexhep Mala, hero i mëvonshëm i Kosovës, Irfan Shaqiri, ish i burgosur politik, Fatmir Salihu, i biri i arsimtarit tonë Fehmi Salihu, i cili ka qenë i burgosur politik për çështje kombëtare.
Kjo ndodhi kur në gjimnazin e Preshevës drejtor ishte prof.Mustafë Selimi. Kështu, në njëfarë mënyre, Presheva u shndërrua në Voskopojë të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Pas vdekjes së Abdulla Krashnicës, në postin e sekretarit të Rrethit të Preshevës emërohet Selim Selimi, shoku, miku, dhe bashkëluftëtari i Abdulla Krashnicës.
LETRA E SELIM SELIMIT DËRGUAR ENVER HOXHËS
Meqë shkollat shqipe përballeshin me shumë vështirësi, s’kishte godina shkollore, mësimi zhvillohej nëpër mejtepe të xhamive dhe në shtëpi private. Mungonin tekstet dhe mjetet mësimore, gjendja ekonomiko-sociale ishte tepër e vështirë, mbi të gjitha mungonte kuadri arsimor me kualifikime përkatëse. Duke parë këtë gjendje, Selim Selimi ia shkroi një letër Enver Hoxhës, me këtë përmbajtje: “Kryetarit të Qeverisë Shqiptare shokut Enver Hoxha
Me krenari dhe guxim kam nderim me iu shkrue këtë letër, ku ju ban një lutje populli shqiptarë i Rrethit të Preshevës. Mbas vujtjeve dhe shtypjeve të mëdha të popullit shqyptarë nga imperializmi turk, hegjemonizmi i Ish Jugosllavisë dhe në fund nga fashizmi barbar, sot populli shqiptarë po e gëzon frutin e Luftës Nacional Çlirimtare, tue i pasur të drejtat e veta të barabarta me popujt tjerë të Jugosllavisë. Ky frut I themeluem me gjakun e bijëve më të mirë të popujve të Jugosllavisë, po i jep të drejta të plota popullatës së vendit, për të hapë për herë të parë në histori shkollat në gjuhën e vetë amtare. Mirëpo mjerimi ma i madh asht se ne arsimtarë të gjuhës shqipe nuk disponojmë, kështu qi s’po kemi mundësi me i hapë shkollat. Pra, shoku kryetar, për hirë të popullit mundësisht tna dërgoni disa arsimtarë e arsimtare, kështu qi populli të ketë mundësi për të kërkue arsimim në gjuhën e vetë amtare. Besoj se do ta plotësoni dëshirën e popullit, i cili e pret ndihmën tuej me padurim.
Të fala dhe pranoni nderimet e mia ma të nalta”.
Sekretari i Komitetit të Rrethit të Preshevës, Selim Selimi. 10 maj 1945
Autor: Sadri Qazimi